Report TV - Kavajë, njëri nga autorët tregon si nisi sherri: Shkuam për sqarim, ata na shanë

  • 5 years ago
Shkon në pesë numri i të arrestuarve për përplasjen me armë zjarri mesditën e djeshme në qytetin e Kavajës, ku mbeti i vdekur një kalimtar i rastësishëm dhe u plagosën 7 të tjerë mes tyre 4 pjesëtarë të 2 grupeve, por edhe 2 persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen (njëri nuk është identifikuar ende), ndërkohë që është shpallur në kërkim Denis Aliu. Pesë të arrestuarit janë; Marjus Aliu, Ardian Dedej (i dënuar më parë) dhe Eraldo Hyka, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën pasi u plagosën nga shkëmbimi i zjarrit dhe Qazim Merkaj e Agron Kollçaku, ky i fundit për moskallëzim krimi.

Tre të plagosurit e tjerë nga ngjarja janë, Rustem Dedej, që është vëllai i Ardian Dedejt për të cilin nuk është ngritur asnjë akuzë dhe Arben Ajdini e Sali Mekja, por që nuk kanë lidhje, pasi po qëndronin në lokalin e tyre kur i kapën plumbat. Në kërkim vijon që të jetë Denis Aliu, që u përfshi në ngjarje. Ndërkohë që Elio Hyka, që është vëllai i Eraldo Hykës është shoqëruar dhe më pas është lënë i lirë, pasi nuk ka lidhje me ngjarjen sipas policisë.

Pse më sheh, çfarë shikon? Kështu nisi konflikti para dy ditësh, pra mbrëmjen e së mërkurës mes Eraldo Hykës dhe Ardian Dedejt me Denis Aliun jashtë ambienteve të një marketi në qendër të qytetit. Denis Aliu qëlloi me grusht Ardian Dedejn dhe shau Eraldo Hykën. Por për shkak se bashkëshortja e Dedejt dhe fëmijët kanë qenë brenda në market, sherri është mbyllur aty për aty. Vetëm një ditë më pas, një orë para se të ndodhte ngjarja, po në qendër të qytetit, Eraldo Hyka gjuan me grusht Denis Aliun.

E ndërsa pas kësaj, dy vëllezërit Marjus dhe Denis Aliu shkojnë tek lokali i Dedejve për t'u sqaruar, por aty konfliktohen sërish me Eraldo Hyka, Ardian Dedej dhe Qazim Merkja, duke çuar deri në përdorimin e armëve. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra ka zbardhur dëshminë e Marjus Aliut pas arrestimit. Ai është shprehur se 'shkuam për t'u sqaruar për shkak të sherrit që patën me vëllanë, por ata na shanë prapë'. Në përplasen me armë mes vëllezërve Hyka dhe Dedej nga njëra anë dhe Aliu nga krahu tjetër është përfshirë edhe Qazim Merkja, që u arrestua.

Nga shkëmbimi i zjarrit mes dy grupeve gjeti vdekjen e menjëhershme kalimtari i rastësishëm që sapo kishte dalë nga furra e bukës Ramazan Hasalliu 52 vjeç banues në Kavajë. Vijojnë hetimet për të zbardhur se nga cila armë u qitën plumbat që kapën kalimtarin e rastësishëm Ramazan Hasalliu 55-vjeç, ndërsa paraprakisht dyshohen Marjus Aliu dhe Eraldo Hyka. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 3 automjete, të cilat janë përdorur nga autorët e dyshuar, aparate celularë, fishekë luftarakë si dhe një sere provash te tjera, të cilat janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm laboratorik.