Cigaret elektronike, shishat/ Manastirliu: Do ndalohet pirja në ambientet e brendshme

  • 5 years ago
Do të ndalohet duhanpirja në ambientet e brendshme edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu prezantoi në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend propozimet për ndryshimin e ligjit "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit".

Duke theksuar se ndryshimet në projektligj janë hartuar në frymën e Direktivës 40/2014 të BE si dhe Konventës Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit, Manastirliu tha se ndryshimet janë konsultuar gjerësisht me grupet e interesit.

"I çmojmë të domosdoshme këto ndryshime, jo vetëm për të përmirësuar kontrollin e duhanpirjes por për të dekurajuar pirjen e duhanit tek moshat e reja dhe për të reduktuar akoma më shumë duhanpirjen në tërësi, pasi, duhanpirja është një ndër tre faktorët madhorë të riskut për sëmundjen kronike në Shqipëri, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve dhe paaftësisë", tha Manastirliu.

Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe forcimin e masave ndëshkuese në rast të moszbatimi të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit nga produktet e duhanit.

"Janë forcuar masat administrative për shkeljen e ligjit. Nëse një subjekt shkel 2 herë rresht brenda dy muajve nenin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme", u shpreh Ministrja e Shëndetësisë gjatë prezantimit të ndryshimeve në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend.

Ndryshimet ligjore që propozohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale përfshijnë për herë të parë në ligj produktet inovatore të duhanit që kanë hyrë së fundmi në tregun shqiptar dhe që kanë qenë tërësisht të parregulluara si cigarja elektronike, duhani me ngrohje dhe shisha/nargjile, duke synuar të përfshijë në kuadër rregullator çdo produkt ose nënprodukt duhani që është i dëmshëm për shëndetin e popullatës.

Veç ndalimit të konsumimit në ambientet e brendshme të cigares elektronike apo produkteve të reja të duhanit, sa i janë vendosur limite për përqëndrimin e nikotinës dhe sasinë e lëngut me përmbajtje nicotine, me qëllim mbrojtjen e mëtejshme të konsumatorit nga kjo substancë që krijon varësi.

Do të ndalohet gjithashtu shitja e produkteve të duhanit me shije karakteristike (mente, vanilje etj) si dhe shitja e paketave të duhanit me numër të reduktuar cigaresh, si masa për të dekujaruar duhanpirjen.