Meta cakton 13 Tetorin si date per zgjedhjet

  • 5 years ago
3 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Ilir Meta ka ndërhyrë sërish, me argumentin për të zgjidhur krizën, duke nxjerrë të tretin dekret për zgjedhjet, kësaj here me një datë të re. 2 janë argumentet kyçe që thotë se e çuan në këtë vendimmarrje.

"Sepse është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhje të përgjithme vendore gjithëpërfshirëse, jo vetëm përsa i takon vullnetit të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por njëkohësisht edhe që dëshirojnë sipas të gjithave afateve ligjore dhe proceduriale të jenë të përfshirë në një administrim gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor. Kjo është arsyeja e parë. Arsyeja e dytë, sikurse e kam nënvizuar edhe në 8 Qershor kur e bëra publik vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, një nga arsyet kryesore ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë së integrimit europian, të mos shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia Veriore lidhur me momentin e çeljes së negociatave".

Vendimi erdhi pasi paraditen e së enjtes u konsultua me partitë opozitare, ndërsa Kryeministri refuzoi që të bëhej pjesë. Megjithatë, Meta thotë se do të vazhdojë t?ia mbajë hapur derën e Presidencës, pavarësisht orës kur do të trokasë, ndaj i kërkon reflektim.

Për vete thotë se është i qartë për axhendën që ka në raport me postin, të njëjtën gjë i kërkon Ramës. I pyetur nëse ka marrë garanci nga Basha se do të hyjë në zgjedhje më 13 Tetor, Presidenti nuk e pohon.

Nuk jep përgjigje as për një skenar të mundshëm që më 13 Tetor, të jetë mazhoranca ajo që refuzon të hyjë në zgjedhje.

Veç Bashës dhe aleatëve të tij, Meta u takua dhe me 5 ambasadorë të BE, përpara se të bënte publik vendimin. Por u vu re mungesa e të ngarkuarës me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit kryesor të Shqipërisë, e cila takimin e fundit me Presidentin e zhvilloi të hënën. Kreu i shtetit i shmanget përgjigjes për arsyet e kësaj mungese.

Dekreti i tretë i Presidentit për zgjedhjet vjen vetëm një ditë pasi mazhoranca miratoi në Komisionin e Ligjeve vendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij, për shkelje të rënda kushtetuese në lidhje me anulimin e 30 Qershorit, si datë të zgjedhjeve vendore.

Tv Klan

Category

📺
TV

Recommended