Report TV -Juristët flasin për dekretin e Presidentit Meta

  • 5 years ago
Anulimi i datës së zgjedhjeve nga presidenti Ilir Meta për konstitucionalistin Sokol Hazizaj kjo është një lojë e politikës në dëm të drejtësisë e publikut.

Në të njëjtën linjë edhe avokati Dorian Matlia.

"Akti i presidentit mund të diskutohet vetëm në Gjykatë Kushtetuese. Ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Për shkak të mungesës së saj nuk ka zgjedhje. KQZ ka nisur përgatitjet në bazë të dekretit të presidentit. Nëse KQZ nuk ndërpret procesin palët mund të ankohen në Kolegjin Zgjedhor. Palët duhet të ulen ta zgjidhin politikisht", shprehet Matlia.Saimir Vishaj, kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë thotë se Presidenti nuk mundet të shfuqizojë dekretin e tij, dhe se këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese.

"Kjo nuk është e shkruar në asnjë dispozitë të kushtetutës ku janë kompetencat e presidentit. Presidenti mund të shfuqizojë ligje, por jo të shfuqizojë dekretin e tij. Dekretin e tij e shfuqizon vetëm Gjykata Kushtetuese", tha Vishaj.

Edhe dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, Vishaj thotë se mund ta marrë në shqyrtim vetëm Gjykata Kushtetuese.

Por edhe Gjykata Kushtetuese, nuk ka kuorum prej më shumë se një viti. Në fillim të vitit 2018, një komision nisi punën për të kontrolluar gjyqtarët dhe prokurorët për origjinën e pasurisë së tyre dhe për lidhjet e mundshme me krimin e organizuar. Disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të emëruar nga PD dhe LSI, që nga ajo kohë ose janë rrëzuar nga posti ose e kanë dorëzuar vullnetarisht detyrën. Vishaj e sheh të vështirë krijimin me shpejtësi të Gjykatës Kushtetuese, pasi tre gjyqtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë (e cila nuk është funksionale), tre nga Kuvendi, dhe tre nga Presidenti.