Gjesti fisnik i kuqezinjve për fëmijët jetimë në Durrës Momentet emocionuese

  • 5 years ago
Nesër është 1 Qershori, dita e fëmijëve. Por jo të gjithë kanë mundësi të jenë krah prindërve të tyre. Për të sjellë sadopak gëzim në Shtëpinë e Foshnjes në Durrës, ekipi i kombëtares shqiptare të futbollit, i bënë një surprizë fëmijëve.

Jo vetëm dhuruan mjete të domosdoshme dhe në nevojë që kishte Shtëpia e Fëmijës në qytetin e Durrësit, por edhe kaluan momente argëtuese me fëmijët, duke u bërë njësh me ta teksa kërcenin muzikën me personazhet e preferuar të fëmijëve.

Trajneri Reja, së bashku me ndihmësit Bulku, Salihi, Porrini, dhe lojtarët Berisha, Mavraj, Hysaj, Lenjani, Cikalleshi dhe Roshi shpërndanë dhurata për të gjithë fëmijët. Me kontributet e të gjithë lojtarëve ishin blerë disa pajisje elektro-shtëpiake që ndihmojnë sadopak në përmirësimin e kushteve për fëmijët e kësaj shtëpie.

Në një atmosfere festive lojtarët dhe stafi teknik iu bashkuan fëmijëve të cilët kishin përgatitur një festë për 1 Qershorin. Ishte shumë emocionuese dashuria e vogëlushëve kur u takuan me mysafirët e kësaj qendre.