Sociologu Tushi: Fëmijët po edukohen me teknologji, dështimi shihet dukshëm

  • 5 years ago
Prindërimi është sigurisht një sfidë e vështirë dhe madje mund të konsiderohet edhe një art më vete. Modelet e prindërimit janë nga më të ndryshmet, ndërsa ajo që vihet re në Shqipëri është fakti se prindërimi duket sikur prek kufijtë e posesivitetit dhe ekzagjerimit, specifikisht kur bëhet fjalë për nënat.I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e emisionit ?Rreze Dielli? në Report Tv, sociologu Gëzim Tushi, Mjeshtër i madh pohoi se në 30 vitet e fundit të qënit prind në Shqipëri ka ndryshuar shumë.

"Shoqëria shqiptare ka kaluar një evolucion të shpejtë të prindërimit. Ne në tri dekada kemi kaluar nga një model i vjetër paternalist, autoritarist, maskilist, një model në të cilin prindërit ishin gati gati perëndi dhe fëmijët skllevërit e tyre. Sot kemi mbërritur në një model tjetër që unë ndonjëherë them se fëmijët janë bërë mbretërit dhe prindërit janë bërë skllevërit. Kjo është e vërtetë, siç e shikoni sot fëmijët kërkojnë të realizohet gjëja e tyre me çdo kusht dhe prindërit gati gati janë të nënshtruar nga fëmijët e sotshëm.", u shpreh sociologu Gëzim Tushi.
Sipas sociologut Tushi ajo që të bën më shumë përshtypje është kontradita që është krijuar në këto realitete të reja ku duket një prapambetje e theksuar e aftësive prindëruese.

"Kam përshtypjen që kemi një kontradiktë në mes të realiteteve të reja, materies së re me të cilën janë bërë fëmijët e sotshëm dhe ndërkaq kemi një prapambetje relative të aftësive prindëruese të fëmijëve të sotshëm, të cilët mesa duket po përshtaten me zor. Kemi akoma në disa zona prindër që dhunojnë jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht për t'i bërë sipas modelit të tyre. Edhe në zonat metropolitane kemi modelin e prindërimit liberal i cili ka anët e veta pozitive, por në të njëjtën kohë ndikon në uljen e kohës prindërore të qëndrimit me fëmijët. Fëmijët e sotshëm janë viktima të edukimit të deformuar të prindërve të sotshëm. Një pjesë e gabimeve që po ndoshin sot në prindërim, sidomos tek fëmijët në gjëndje të mirë ekonomike mendoj se edukimi bëhet me teknologji. Këta prindër iu plotësojnë fëmijëve gjithçka, iu japin dhomën e intimitetit të tyre, iu japin gjithë kohën e teknologjisë, por nuk iu japin limfën që duhet për t'u edukuar dhe për tu formuar. Ndodh pastaj që edhe pse ke bërë një investim kaq të madh, dështimi edukativ është i dukshëm.", - tha sociologu Gëzim Tushi në studion e Rreze Dielli në Report Tv