Aleatët i kërkojnë që të ulet me Ramën, Basha pranon tryezën për dialog

  • 5 years ago
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është treguar për herë të parë i hapur për tu ulur në tryezë dialogu me kryeministrin Edi Rama. Një thirrje e përsëritur e kreut të qeverisë, por që këtë radhë, Basha e artikuloi si dakordësi të plotë me aleatët e tij, të cilët nesër do të kenë një takim me presidentin Ilir Meta për t'i kërkuar atij thirrjen e tryezës së dialogut si negociator, dhe uljen e të gjitha partive politike.

Këtë të hënë, pesë aleatët e qendrës së djathtë (pa Shpëtim Idrizin e PDIU) teksa paraqitën një platformë për të arritur një marrëveshje kushtetuese, me ndryshime të thella në kushtetutë dhe me ndryshime në gjithë sistemin edhe të funksionimit të shtetit, u shprehën se dialogu duhet arritur me të gjitha partitë, dhe nuk është problem për ta që Edi Rama të vijë si kryetar i Partisë Socialiste. Edhe pse qëllimi final është largimi i kryeministrit dhe krijimi i një qeverie tranzitore për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, aleatët, për herë të parë nuk vendosën kusht dorëheqjen e Ramës dhe më tej uljen në tryezë.

Edhe Basha në një prononcim për gazetarët nga selia blu, nuk tha të artikuluar direkt se: "Po", do ulej me Ramën në tryezë, por theksoi se bie plotësisht dakord me aleatët.