#rtvora Komiteti Europian i Energjisë ka ngritur shqetësim për frenimin e reformave në sektorin e energjisë pas emërimit të Ministres Belinda Balluku. Janes Kopac gjatë prezantimit të raportit për Shqipërinë u shpreh se është shënuar një zbehje e nismave, ndërsa thekson se ndryshimi i politikave për energjinë e rinovueshme tremb investitorët.
Pavarësisht se kryeministri Edi Rama deklaroi se ndryshimet në qeveri u bënë për ti dhënë një tjetër impuls zhvillimit të ekonomisë së vendit, duket se kjo nuk ka ndodhur në rastin e Ministres së Energjisë dhe të infrastrukturës Belinda Balluku.
Janes Kopac, Sekretari i Komitetit Evropian të Energjisë, në prezantimin e raportit vjetor në Komisionin parlamentar, u shpreh se reformat e nisura në sektorin e energjisë kanë ngecur në vend pas largimit të Gjiknurit.
Kopac: Gjiknuri u zëvendësua dhe entuziazmi për zbatimin e reformave në energji ra. Dihet se Ministrja e re nuk e njeh sektorin dhe do pak kohë të njihet dhe të mësohet me çështjet, uroj ta arrijë. Ne kemi konstatuar ngadalësim të reformave të tregut.
Ndryshimi i rregullave të shpeshta në sektorin e energjisë së rinovueshme, sipas Kopac, sjell humbjen e besimit te investitorët e huaj.