Veliaj në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor: Vitin e ardhshëm do zhvillohet te piramida

  • 5 years ago
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Beograd, ngjarja më e madhe e teknologjisë digjitale në rajon, e cila bëri bashkë përfaqësues të qeverive, bizneseve, organizatave rajonale, komunitetit akademik dhe të rinj. Ndërsa prezantoi disa nga reformat dhe nismat më të rëndësishme të digjitalizimit që ka ndërmarrë vendi ynë, por në mënyrë të veçantë kryeqyteti, ai theksoi se shumë shpejt Tirana do të kthehet në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit të teknologjisë në gjithë rajonin.

Veliaj shtoi se gjatë këtij takimi Tirana u vlerësua si një nga modelet që ka bërë më shumë në këtë drejtim, ndërsa u përzgjodh si vendi që do të organizojë Samitin e ardhshëm Digjital të Ballkanit, pikërisht te Piramida, e cila do të transformohet në një qendër teknologjie dhe kodimi.

?Kjo është një ditë shumë e mirë për Shqipërinë, sidomos për gjithë reformat në digjitalizimin e Shqipërisë dhe kryesisht të Tiranës. Kanë ndodhur disa gjëra shumë të rëndësishme në Samitin Digjital të Ballkanit: së pari, Shqipëria dhe Tirana janë përzgjedhur si mikpritëse të Samitit Digjital të Ballkanit. Prandaj do të punojmë fort që, në të njëjtën kohë, vitin tjetër, të kemi gati Piramidën si qendrën më unike në të gjithë Ballkanin për mësimin e teknologjisë së informacionit. Me përparimin e madh që ka bërë Shqipëria, sidomos në digjitalizimin e qyteteve, jemi një nga modelet që u vlerësuan edhe në samitin e sotëm?, tha Veliaj.