Mazniku: Shkollën e kërkuan banorët në Kodër-Kamëz, ndërtohet në truall privat

  • 5 years ago
Shkolla e re në Kodër-Kamëz do të ndërtohet në një ish truall privat, të shpronësuar nga Bashkia e Tiranës, për të plotësuar nevojat dhe kërkesën e hershme të banorëve për një shkollë në atë zonë. Nga Universiteti Bujqësor i Kamzës ku zhvilloi një takim me studentët, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku theksoi se shkolla e re në Kodër-Kamëz është pjesë e projektit për ndërtimin e 17 shkollave të reja dhe se ajo nuk cenon hapësirën e kampusit.

?Kjo është hapësira në të cilën do të ndërtohet një ndër 17 shkollat e reja të qytetit. Toka në fjalë e ka pasur statusin privat prej shumë vitesh. Bashkia Tiranës, që në vitin 2018, nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, ka bërë shpronësimin e kësaj toke, rreth 9 mijë metra, të cilat do të përdoren për shkollën e re. Këto 9 mijë metra tokë sot janë me status në pronësi të Bashkisë së Tiranës?, deklaroi Mazniku.

Nevoja për ndërtimin e një shkolle të re në Kodër-Kamëz është një kërkesë e vjetër e banorëve të këtij komuniteti për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre.

?Zona e Kodër-Kamzës është një zonë e cila ka shumë nevojë për një shkollë. Është një zonë e cila në 10-15 vitet e fundit është banuar në mënyrë të dendur, dhe nuk ka shkollë. Ndaj, ndërtimi i një shkolle të re ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e kësaj zone dhe na mundëson të kemi edhe arsimin parauniversitar, por edhe arsimin universitar, pa i cenuar në asnjë mënyrë, asnjë prej funksioneve të njëri-tjetrit?, deklaroi ai, teksa shtoi se janë të gjitha hapësirat e mundshme për t?i krijuar mundësi Universitetit Bujqësor që të shfrytëzojë hapësirat e tjera.

Si pjesë e Paktit për Universitetin, Mazniku deklaroi se qeveria shqiptare i ka akorduar Universitetit Bujqësor më shumë se 1 milion euro për fermën eksperimentale në Valias, një hapësirë prej gati 100 hektarësh, e cila plotëson më së miri nevojat e studentëve për procesin mësimdhënës.

?Gjithashtu, është e rëndësishme të theksojmë se para pak kohës qeveria i ka akorduar Universitetit Bujqësor, si pjesë e Paktit për Universitetin, më shumë se 1 milion euro për fermën eksperimentale në Valias: një hapësirë shumë e madhe, prej pothuajse 100 hektarësh, ku funksionet e mirëfillta mësimore mund të ndodhin atje. Ndaj ky projekt, së pari i sjell një shkollë shumë të dobishme komunitetit, shumë të nevojshme për këtë zonë, që nuk e ka një shkollë të tillë, dhe nuk cenon në asnjë moment, dhe në asnjë rrethanë funksionet thelbësore të universitetit?, sqaroi Mazniku.