Edhe pse prej dy ditësh në vend është ndërprerë grumbullimi i prodhimeve bujqësore për shkak të ngërçit të TVSH-së skema nuk do të ndryshoj.
Drejtori i politikave fiskale Niko Lera deklaroi se tashmë po shohim se çfarë politikash subvencionuese do të zbatojnë për fermerët dhe blegtorët.
Niko Lera: "Skema nuk ka arsye të ndryshojë, por ne po shohim çfarë politikash subvencionuese do të zbatojmë në lidhje me fermerin, me blegtorin, me atë që e shet qumështin dhe e blen me faturë. Ka skema të tjera që mund të zbatohen. Një ndër to do të jetë që çdo fermer për sasinë e qumështit që shet të subvencionohet përkundrejt faturave direkt nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë."
Niko Lera sqaron se ndryshimet në skemën e TVSH-së nuk prekin direkt grumbulluesit.
Niko Lera: "Kërkesë-oferta do të ekuilibrohet dhe përsëri çmimet do të gjejnë tregun e tyre. Grumbulluesit apo përpunuesit nuk janë pjesë e ndryshimeve në kostot e tyre apo në çmimet e shitjes. Sepse tatimi mbi vlerën e shtuar është shtesë mbi çmimin e shitjes, nuk është pjesë kostos. Pra dje ata i jepnin 20% fermerit dhe kreditonin 20%, sot i japin 6% dhe do kreditojnë 6%."
Vendimi nuk është pritur mirë prej subjekteve që kanë aktivitet grumbullimin e produkteve bujqësore.
Mësohet se tashmë bizneset po diskutojnë mundësinë e përshkallëzimit të protestave duke këmbëngulur në ndryshimin e skemës së TVSH-së.
Ata ankohen se i blejnë prodhimet me TVSH 6% dhe i shesin me 20% duke i krijuar kosto shtesë.