Report TV - Ndikimi rus në Shqipëri? Meta: Mos e katandisni si rrezikun anglo-amerikan

  • 5 years ago
Zërave për rritjen e ndikimit rus në Shqipëri, Presidenti Ilir Meta i ka komentuar duke "thumbuar" edhe kryeministrin Edi Rama, që më herët tha se ky ndikim në Shqipëri nuk është më sekret, pasi Rusia nuk është "tifoze" e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Duke ju përgjigjur interesit të mediave, kreu i shtetit tha se shkaqet e krizës janë të brendshme dhe nuk duhen gjetur indikatorë të jashtëm.

?Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t?u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e të kaluarës për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë?, - tha ai.

Më herët, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Helidon Bendo, u shpreh i shqetësuar në një mbledhje me anëtarët e Komisionit të Sigurisë në Kuvendi, për përpjekjet që po bëhen sipas tij për të rritur influencën ruse në Shqipëri.

Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për mediat me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, tha:

"Rusia nuk është vend tifoz i BE-së i zgjerimit të BE-së dhe natyrshëm s'mund të ketë tifozëllik për ecurinë evropiane për asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjalë e së cilës është të bashkohemi në familjen evropiane. Sa herë që kjo axhendë cënohet, aq herë kush nuk është tifoz i Evropës, i BE-së, i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet".