Ora News – Tre muaj dështim, Balluku asnjë investim në rrugë pasi mori detyrën

  • 5 years ago
#oranews #belindaballuku
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, edhe pse ka rreth tre muaj në pushtet nuk ka nisur asnjë investim të ri në infrastrukturën rrugore. Burime bëjnë të ditur se aktualisht nuk është hapur asnjë kantier i ri, ndërsa janë lënë në harresë një sërë projektesh të rëndësishme siç është tuneli Kardhiq-Delvinë, rruga Milot-Balldre apo Orikum- Llogara. Ndërkohë që shembull konkret është edhe rruga e Shëngjinit që është në terr të plotë dhe merr shumë rëndësi në një moment që jemi në prag të sezonit turistik

Ndryshimet në qeverinë Rama tre muaj më parë u deklaruan se u bënë për ti dhënë një impuls të ri zhvillimit dhe investimet.

Por në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duket se ka ndodhur krejt e kundërta.

Mësohet se të gjitha projektet e investimeve kanë hasur në ngërç.

Ministrja, Belinda Balluku, edhe pse ka marrë detyrën prej janarit, nuk ka prezantuar asnjë nismë për projekte investimesh.

Madje edhe ato projekte që kanë qenë në fazë tenderimi janë lënë në harresë, përfshirë dhe ato që janë vlerësuar të rëndësishme nga kryeministri Edi Rama, por ministrja e re duket se i ka kaluar në plan të dytë.

Burime bëjnë me dije se ka mbetur pezull tenderi për ndërtimin e lotit 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë në jug të vendit, ku parashikohet edhe ndërtimi i tunelit me gjatësi 1 km.

Kjo rrugë është cilësuar një nga akset më prioritare, që shkurton në 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana deri në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit.

Një tjetër projekt i lënë pas dore është edhe segmenti Milot-Balldre për të cilën është shpallur kompania fituese por gjithçka ka mbetur në fazën e negocimit të kontratës.

Investimi që do të realizohet në këtë segment kap vlerën 140 mln euro, ndërsa segmenti ka një gjatësi prej 17.2 kilometrash.

Në projekt parashikohet ndërtimi i rrugëve dytësore, ndërtimi i 5 nyjeve lidhëse si dhe një tunel me gjatësi prej 850 metrash në zonën e Balldrenit.

Në të njëjtën fazë është edhe projekti për Orikum-Llogara. Investimi ka mbetur në mes pasi Ministria nuk ka negociuar kushtet e kontratës me kompaninë.

Gjithashtu një tjetër rast është edhe rruga e Shëngjinit.

Nëse kalon për herë të parë në këtë rrugë të duket se ke humbur në zona të pabanuara.
Bashkia Lezhë thotë se kjo rrugë është në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, por nuk kanë marrë zgjidhje.
Enver Hafizi: Kemi kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen e tyre dhe nuk po bëhet e mundur deri në këto momente.

Me shumë gjasa edhe ky sezon turistik do ta gjejë rrugën drejt Shëngjinit në errësirë, pasi zgjidhja e problemit duke ende shumë larg.

Ndërkohë Bashkia ka bërë me dije se me të ardhurat e saj do të investojë për ndriçimin e rrugës së Kunës, ndërhyrje që pritet të përfundojë para sezonit turistik.

Projektet e lëna pezull

Kardhiq-Delvinë

Milot-Balldre

Orikum -Llogara

Për më shumë lexoni në:
http://www.oranews.tv/article/tre-muaj-deshtim-balluku-asnje-investim-ne-rruge-pasi-mori-detyren?fbclid=IwAR2qHfn...

Recommended