Moti i keq në Elbasan/ Nëna e re lind në kushte shtëpie, ndihmohet nga stafi mjekësor

  • 5 years ago
LBASAN- Luljeta Cora nga fshati Labinot Katund, e bllokuar nga dëbora, është detyruar ta lindë foshnjën e saj në kushte shtëpie.

Lindja është asistuar nga infermierja e qendrës Shëndetësore ?Labinot Katund", Nazmie Demiri, së cilës i ka ardhur në ndihmë edhe infermierja e dalë në pension Ismete Allushi. Mësohet se falë ndërhyrjes në kohë të tyre është bërë e mundur shmangia e komplikacioneve gjatë lindjes së nënës 25-vjeçare. Menjëherë sapo e reja ka arritur të sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë, drejt banesës së saj është dërguar një autoambulancë me zinxhirë, e cila ka arritur të depërtojë në fshatin e bllokuar nga dëbora.

Në pamje po shihni momente të udhëtimit të autoambulancës drejt banesës së nënës së re në fshatin Labinot Mal. Burime të Report Tv bëjnë të ditur se autoambulanca e ka dërguar Luljeta Coran menjëherë në maternitetin e Elbasanit, ku aktualisht po merr trajtimin e nevojshëm së bashku me fëmijën. Report Tv mëson se si nëna 25-vjeçare ashtu edhe foshnja gëzojnë shëndet të plotë dhe ndodhen nën përkujdesjen e stafit të maternitetit.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe deputeti i zonës Taulant balla, i cili ka përgëzuar stafin e qendrës shëndetësore për punën, ndërsa i ka përcjellë urime familjes Cora për beben e ardhur në jetë.