Zaev: Gruevski mund të jetë rrëmbyer, pres përgjigje nga ai dhe Hungaria

  • 6 years ago
MAQEDONI- Kryeministri Zoran Zaev në një konferencë për shtyp ka hedhur hije dyshimi mbi largimin e paraardhësit të tij, Nikola Gruevski nga Maqedonia, ku edhe po kërkohet për mashtrim.

Në prononcimin e tij për mediat, Zaev u shpreh se qeveria dhe instancat përkatëse duhet që të nisin hetimet nëse Gruevski është larguar në mënyrë vullnetare nga vendi apo është rrëmbyer.

Ne do të bëjmë gjithçka që Nikolla Gruevski vuajë dënimin këtu në Maqedoni. Publikisht po parashtroj pyetjen: A e ka lëshuar vullnetarisht zoti Gruevski Maqedoninë para se Gjykata ta lëshonte urdhërin për arrestimin e tij apo është rrëmbyer? Pres përgjigje edhe nga Gruevski dhe nga Hungaria.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë
Ish-kryeministri, Nikola Gruevski, sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, ka hyrë dhe ka dalë në datën 11 nëntor. Një ditë më parë, policia shqiptare bëri me dije se Gruevski ka dalë nga Shqipëria si pasagjer në makinën e Ambasadës Hungareze në Tiranë.

Mësohet se në datën kur Gruevski ka dalë nga territori shqiptar përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, ai nuk ka qenë në kërkim. Ai është shpallur në kërkim nga Interpol Shkupi më datë 13 nëntor 2018. Pavarësisht njoftimit të policisë shqiptare, burime për Report Tv bëjnë me dije se hyrja e Gruevskit është bërë përmes pikës kufitare të Bllatës në Maqellarë të Dibrës.

Prokurorët në Shkup kanë nisur hetimet për zbulimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm për arratisjen e Gruevskit, ndërsa mediat në Maqedoni raportojnë se pavarësisht arratisjes së tij, Nikolla Gruevski do të gjykohet në mungese, në total për 10 vepra penale.