Ministri Xhafaj pret homologun e Austrisë, Kickl: Shqipëria, një partner të besueshëm

  • 6 years ago
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka pritur ditën e sotme homologun e tij austriak z.Herbert Kickl. Takimi mes tyre u zhvillua në kuadër të punimeve të Ministerialit, mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme.

Ministri i Brendshëm austriak e cilësoi Shqipërinë si një partner të besueshëm dhe shprehu gatishmërinë për një plan pune të përbashkët mes dy vendeve në fushën e sigurisë. Sipas tij, mbetet e rëndësishme që marrëveshjet e arritura mes vendeve të vihen në zbatim.

Ndërsa në fjalën e tij, ministri Xhafaj përmendi angazhimin shqiptar për ngritjen e një Qendre Rajonale të Koordinimit Policor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, projekt i cili ka marrë mbështetjen zyrtare të Komisionit Evropian përmes Komisionerit Avramopulos.

Më tej, diskutimi u ndal në hapat e ndërmarra nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit një vit pas shpalljes së prioriteteve kyç të Qeverisë shqiptare në fushën e rendit dhe sigurisë.

Ditën e nesërme, ministrat Xhafaj dhe Kickl do të kryesojnë mbledhjen e përbashkët të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, pas të cilit do të zhvillojnë dhe një konferencë për shtyp me Komisionerin e BE-së për Migracionin dhe Kufirin, z.Dimitris Avramopoulos.

Category

📺
TV

Recommended