Report Tv - Shtohen rastet me kancer laringu, të riskuar duhanpirësit prej vitesh

  • 6 years ago
Hamza Jaho në moshën 58 vjeç kuptoi se kishte probleme me zërin. Pas vizitave te mjeku ai zbuloi se shqetësimi i tij shkonte përtej një problemi të zakonshëm, pasi u diagnostikua me kancer laringu. Sot, Hamza ka gati 3 vite që përdor protezën, e cila i kushton atij rreth 600 euro.

Kisha trashje zëri dhe kujtoja se kisha ftohje. Vajta tek doktori dhe u vizitova. Aparatin e kam gjetur me mik, ma kanë sjellë.

Hamza Jaho
Por, Hamzai kërkon që ai dhe të sëmurët e tjerë të ngjashëm me të, të përfshihen në një skemë rimbursimi për aparatet e zërit që përdorin pasi shpenzimet e tyre janë të shumta.

Çfarë shteti? Xhaxhai ska marrë gjë. Bëj apel që të na ndihmojë shteti.

Hamza Jaho
Në Shqipëri kjo sëmundje po fillon të bëhet shqetësuese. Mjeku otorinolaringolog Besim Boçi thotë se mesatarisht në vendin tonë janë rreth 100 raste çdo vit që paraqiten në shërbim në stade të ndryshme.

Një pjesë të mirë të shenjave i injorojnë dhe kur paraqiten tek ne, paraqiten me stade të avancuara kryesisht me vështirësi në frymëmarrje dhe kjo i detyron të paraqiten tek mjeku.

Besim Boçi
Ajo që vihet re është se kanceri i laringut po ndeshet në mosha gjithnjë e më të reja, ndonëse më parë prekte moshat mbi 50 vjeç, sot ka raste në mosha të reja, edhe te 35 vjeç. Por, cili është shkaktari kryesor i kësaj sëmundje?

Lidhet me përdorimin e duhanit dhe alkoolit. Sa më shumë të keni konsumuar, aq më shumë jeni të riskuar.

Besim Boçi