Kërkesa e opozitës për anulimin e ligjit të Teatrit/ Balla: Bitri apo Tavo? Ja kush votoi pro

Report TV

by Report TV

0 views
Opozita bojkotoi sot seancën plenare, ku parashikohet votimi i ligjit për magjistratët, pasi akuzon shumicën për tjetërsim të votave për ligjin për Teatrin që u miratua të enjte. Në fillim të seancës ishin të pranishëm nga opozita vetëm dy kryetarët e grupeve, Spaho dhe Vasili. Ata u shprehën se opozita do të bojkotojë seancën, pasi ditën e enjte në Kuvend u miratua ligji për Teatrin Kombëtar me shkelje, pasi deputeti i LSI, Tavo nuk ishte i pranishëm, por rezultoi se kishte votuar.

Ruçi u shpreh se sot ishte njohur me kërkesën e opozitës që dërgoi të premten, pasi të shtunë dhe të diel administrata është pushim. Kryetari i Kuvendit deklaroi se do të ketë një investigim për rastin dhe më pas do të dilet me një qëndrim. Por kryetari i grupit të PS, Balla u shpreh se arsyeja e vërtetë e bojkotit të opozitës është projektligji për gjyqtarët dhe prokurorët.

Përsa i përket votimit për ligjin e teatrit, Balla sqaroi se deputetit Bitri që u largua nga LSI dhe doli i pavarur në vendin që voton i është vënë kartë e një deputeti tjetër, pra e Tavos. Për këtë arsye Balla thotë se nuk ka asnjë manipulim sikur pretendon opozita, pasi fizikisht ishte i pranishëm Bitri që votoi, por me kartën e Tavos që i kishin vendosur.

Ndërkohë që pas kërkesës së opozitës për anulimin e ligjit për Teatrin është mbledhur Sekretariati për Procedurat dhe Votimin. Ky sekretariat përbëhet nga anëtarët Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Enkelejd Alibeaj nga radhët e PD. Sekretariati për Procedurat dhe Votimin është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e PD dhe LSI për anulimin e votimit për projektligjin e Teatrit Kombëtar.