Arta Marku në Vetting/KPK vendos nesër, ONM: Keqardhje që kryeprokurorja nuk erdhi

  • 6 years ago
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) përfundoi seancën dëgjimore për kryeprokuroren Arta Marku, dosja e të cilët ndodhet në filtrat e Vettingut, për vlerësimin kalimtar të pasurisë, aftësive profesionale dhe figurës. Vendimi për Arta Markun do jepet nesër, 4 korrik, në orën 10:00. Trupa e KPK përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu. Arta Marku nuk ishte e pranishme vetë para KPK-së, por përfaqësohej nga avokatja e saj, Lirime Çukaj. Mungesa e Arta Markut nuk është lënë pa u komentuar nga trupa e KPK si dhe përfaqësuesi i ONM, Theo Jacobs.
KPK ka vërejtur dy ankesa nga qytetarët ndaj Arta Markut. Për një prej tyre, Arta Marku, në detyrën e ish-prokurores së Shkodrës ka kërkuar dy herë arrest me burg, për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Kjo është komentuar edhe nga përfaqësuesi i ONM, Theo Jacobs, i cili e ka konsideruar të tepruar kërkesën e Markut.

Edhe pse gjatë hetimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës, KPK nuk konstatoi probleme, relatorja Suela Zhegu u ndal gjerësisht në riorganizimin dhe lëvizjet e komanduara të ndërmarra nga Marku pas zgjedhjes në dhjetor 2017 në krye të organit të akuzës. Pavarësisht se konstatoi se këto lëvizje ishin të ligjshme, relatorja nënvizoi se Arta Marku kishte dështuar të aplikonte një metodologji për riorganizimin e Prokurorisë.
Në lidhje me rastin e shtetasit që është arrestuar me trafik rrugor, sepse kishte pirë më shumë raki. Arta Marku kërkoi për të dy herë arrest me burg. Nuk e mbështes idenë që duhet të drejtosh nën efektin e alkoolit. Por dua të përqendrohem tek kërkesa ekstreme për arrest me burg. Së pari, subjekti ka një përvojë të lartë si prokurore, nuk është fillestare. Ajo e di dallimin mes një çështjeje të vështirë dhe të thjeshtë. Ndryshe nga vendet e Europës, nëse do marr shifrat e Shqipërisë, shoh se 44 perqind e njerëzve janë në paraburgim. Ka një problem këtu për Prokurorinë, sepse ata japin sinjalin, ata kanë përgjegjësi për këtë gjë.

Theo Jacobs, përfaqësues i ONM në KPK