Report TV - Sekuestrimi i një ton kokaine në Spanjë hetimet shtrihen edhe në Shqipëri

  • 6 years ago
Pas arrestimit të Julian Deblinit dhe Dritan Gradicës dy baronëve shqiptarë të kapur me 1 ton kokainë në Madrid të Spanjës , Policia e Shtetit në Shqipëri nis hetimet. Një burim policor i tha Report TV se autoritetet spanjolle kanë kërkuar të kryhen hetime paralele edhe në Shqipëri për të mësuar më shumë se çfarë përfaqësojnë Deblini dhe Gradica si dhe për bashkëpunëtorët e mundshëm.

Për momentin dihen pak detaje për Julian Deblinin dhe Dritan Gradicën me origjinë nga Hasi dhe Tropoja. Rezulton se ata nuk kanë patur më parë dënime kriminale në Shqipëri apo biznese të regjistruar me emrat e tyre. ?Policia shqiptare ka qenë në dijeni të operacionit pasi oficeri shqiptarë i ndërlidhjes në Europol ishte pjesë e operacionit koordinuar nga policia europianë në bashkëpunim me atë spanjolle dhe DEA-n? tha burimi policor.

Siç shihet edhe nga pamjet e operacionit publikuar nga policia spanjolle, Julian Deblini dhe Dritan Gradica arrestohen në ambientet e jashtme të një hoteli nga oficerët e antidrogës veshur civil.

Hetime janë duke u zhvilluar edhe në Kolumbi të cilat udhëhiqen nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për të zbuluar se si dy shqiptarët kishin arritur të kryenin transportin e kokainës përmes avionëve charter.

Policia spanjolle dhe Europol që arrestuan këtë grup kriminal besojnë se Julian Deblini dhe Dritan Gradica kishin mundur të rekrutonin për llogari të tyre zyrtarë dhe punonjës të një aeroporti në Kolumbi për tja lehtësuar kalimin e kokainës. Po ashtu hetimet intensive synojnë të zbulojnë personat të cilin me valixhe të mbushura me kokainë hynin në aeroport e më pas i drejtoheshin avionëve charter drejt Spanjës.