Durrës, kapet sasia rekord prej 613 kg kokainë në kontenierin e bananeve që vinte nga Kolumbia

  • 6 years ago
DURRES - Sekuestrohen sasi rekord kokaine në Portin e Durrësit. Burime pranë policisë thanë për Report Tv se sasia e kokainës së kapur brenda një kamioni është plot 613 kg. Kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në territorin shqiptar.

Droga është gjetur gjatë kontrollit të ushtruar ndaj kamionit të ngarkuar me banane i cili vinte nga Kolumbia, por droga nuk ka qenë e kamufluar në mes të bananeve siç bëjnë rëndom trafikantët, por në një ngarkesë të ndarë brenda në kontenier, kjo për të shmangur dyshimet. Kokaina është konstatuar gjatë kontrolleve në Portin e Durrësit rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm. Droga vinte nga Kolumbia, e porositur nga trafikantët shqiptarë dhe pas mbërritjes në Portin e Durrësit do shpërndahej në tregun europian.

Report Tv ka mësuar gjithashtu se kokaina u zbulua si rrjedhojë e një hetimi ndërkombëtar ku kanë qenë të përfshira njësitë antidrogë të disa vendeve, përfshirjen edhe të DEA-s amerikane. Sinjalizimi për kokainën është bërë nga agjentë gjermanë, holandezë si dhe EUROPOL.