Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka pritur në një takim ambasadorin e Italisë Alberto Cutillo.
Siç njofton zyra e shtypit të Prokurorisë në qëndër të diskutimit ka qenë forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
"Shqipëria e konsideron Italinë një partner shumë të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në këtë kuadër, gjatë takimit, Prokurori i Përgjithshëm shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë ndërmjet dy shteteve", thuhet në njoftim.
Prokurori i Përgjithshëm, Marku, falenderoi diplomatin italian për angazhimin e tij personal dhe të vendit të tij për nxitjen dhe kontributin në hartimin e Reformës në Drejtësi.
Marku theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se "forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar".
Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ishte zbatimi i plotë i ligjit ?Për Dekriminalizimin?. Ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë.