Report TV - Pasuria e kryebashkiakëve nga Qazim Sejdini tek Xhelal Mziu

  • 6 years ago
Ata quhen ndryshe ?pashallarët vendorë?, jo vetëm për mandatet e përsëritura në krye të bashkive më të rëndësishme, por edhe shkak të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që posedojnë. Duke iu referuar Open Data, rubrikës ?Para dhe Pushtet?, Shqiptarja.com publikon pasuritë për vitin 2016, të disa prej kryebashkiakëve që drejtojnë njësitë më të mëdha vendore.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, për vitin që lamë pas, deklaron lëvizje në 31 llogari bankare dhe karta krediti. Gjithashtu, Sejdini, në emrin e tij, të dy vajzave, të djalit dhe të bashkëshortes deklaron 18 burime të ardhurash kryesisht nga pagat dhe bizneset.

Për vitin 2016, Sejdini nuk deklaron pasuri të reja të paluajtshme, por më parë Sejdini ka deklaruar shtëpi banimi me sipërfaqe 478 m2, shtëpi banimi me sipërfaqe 120 m2 në Fier, shtëpi banimi 130 m2, zyrë 60 m2, zyrë 34.5 m2, magazinë me sipërfaqe 840 m2, dy vetura, disa kredi, dy sipërfaqe me ullinj 870 m2 dhe 1630 m2, shtëpi banimi 122.5 m2, apartamenti 102.5 m2, një ndërtesë 831.6 m2 etj. Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, për vitin 2016, përpos pagës dhe ç?regjistrimit të një makine, deklaron se i ka marrë borxh vëllait 900 000 lekë.

Në deklarata të mëparshme, Mziu ka deklaruar shtëpi banimi me sipërfaqe 92 m2, Mercedes Benz në vlerën 500 000 lekë, ndërtimin e katit të dytë të shtëpisë, 9 000 euro kredi bankare për blerje veture tip Peugeot etj. Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, si pasuri të paluajtshme, për të gjitha vitet, deklaron një shtëpi banimi me sipërfaqe trualli 352 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 100.5 m2, në Korçë, me vlerë 12 792 250 lekë, me pjesë 50%. Për vitin 2016, Filo deklaron pagën e tij, të bashkëshortes dhe lëvizje në 16 llogari bankare.