Ahmetaj: Ekonomia ne rritje nga reformat

RTV KLAN

by RTV KLAN

0 views
Rritja ekonomike në nivelin 4.06%, për Ministrin e Ekonomisë dhe Financave ishte një zhvillim i pritshëm.

"Unë nuk jam i habitur nga rritja. 2017 - ta do të jetë një vit i mirë ekonomik, ku do të vazhdojmë të tentojmë 3.7 - 3.8 përqindëshin".

Në një intervistë për Televizionin Klan, kreu i Financave, Arben Ahmetaj thotë se përgjithësisht të gjithë sektorët kanë performuar me rritje, duke patur si motor kryesor ndërtimin. Ministri i Financave shprehet se komenti i kreut të opozitës mbi realizimin e të ardhurave dhe investimeve publike është amator dhe i pasaktë.

"Mos iu referoni si kreu i opozitës, sepse është administrator. E para dhe mbi të gjitha duhet të krahasojë periudhën reale dhe periudhën reale, pra të njëjtën periudhë: 2016 të tremujorit të dytë me 2017 të tremujorit të dytë".

Arben Ahmetaj thotë se të gjithë ata bëjnë retorikë në kurriz të ekonomisë së vendit, dëmtojnë progresin e Shqipërisë.

"Zërat e kukuvajkave që flasin kundër rritjes, sinqerisht jam i habitur që të ngrihet një opozitë e tërë dhe të flasë kundër rritjes ekonomike të vendit. Kjo është rritje ekonomike që shkon tek qytetari".

Për të, Lulzim Basha ngatërron konceptin e tatimit mbi vlerën e shtuar bruto dhe neto. Opozita ka llogaritur më pak TVSH në buxhet, pasi ka mbledhur edhe tatimin e rimbursuar te biznesi.

"TVSH -ja bruto është 13 përqind e rritur, që ta kuptojë administratori. Dhe TVSH -ja neto influencohet nga rimbursimet. Rimbursimet vitin e kaluar kanë qenë 5 miliard dhe këtë vit janë 8 miliard".

Një ditë më parë, INSTAT publikoi rritjen ekonomike për Shqipërinë, por opozita e cilësoi shifrën 4% si demagogjike dhe jo reale.

Për shembull, kreu i opozitës analizoi komponentët e buxhetit, ku të ardhurat, sipas tij ishin në rënie. Qeveria parashikon që për këtë vit rritja e prodhimit kombëtar të jetë në nivelin 3.8%.

Tv Klan