Beteja me zjarret, pyjet në flakë - News, Lajme - Vizion Plus

  • 7 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV

Zjarri i fuqishëm që përfshiu një sipërfaqe prej 30 hektarësh në aksin Fier-Levan është shuar plotësisht. Por beteja me zjarret vijoi edhe këtë fundjavë në zona të tjera. Emergjencat civile bëjnë me dije se në 24 orët e fundit janë shënuar 8 vatra zjarri në disa qarqe. Sipërfaqe të konsiderueshme me pyje, pisha dhe ullinj janë shkrumbuar në Korçë, Shkodër, Fier, Lezhe, Dibër dhe Vlorë.

Në Bashkinë e Korçës, vatrat në njësinë administrative Lekas dhe Voskopojë vijojnë të jenë aktive. Në Theth të Shkodrës është kërkuar ndërhyrja nga ajri për të shuar zjarrin që nisi që pasditen e së premtes. Mëngjesin e së shtunës helikopteri është nisur dhe po vazhdon punën për shuarjen e flakëve.

Gjithashtu është riaktivizuar vatra e zjarrit në Liqenin e Zi të Bashkisë Bulqizë. Ndërsa Në Vlorë ka rënë zjarr midis fshatrave Gumenicë dhe Lapardha. Për shkak të largësisë në fshatrat e Vlorës zjarrfikësit kanë shkuar me vonesë në vendngjarje, ndërkohë që të parët që ndërhynë ishin banorë të zonës. Si pasojë e zjarrit janë djegur 2 magazina dhe rreth 500 rrënjë ullinj.