Report TV - Skandali i byzylykëve/ A po fle gjumë Prokuroria?

  • 7 years ago
Ka një kontrast paradoksal mes përmasave që ka marrë skandali me tenderin e byzylykëve dhe qëndrimit apatik të organit të akuzës. Gjatë javës së kaluar, Shqiptarja.com ka publikuar fakte, detaje dhe rrethana, të cilat përcjellin indicie të mjaftueshme për Prokurorinë, në mos për të thirrur protagonistët e tenderit, të paktën për të nisur verifikimet nëse kemi të bëjmë apo jo këtu me elemente të veprës penale.

Përpos një kallëzimi penal të referuar nga Ministria e Drejtësisë, për disa shkelje të pretenduara rreth zbatimit të kontratës, Shqiptarja.com investigoi rreth pjesës së padukshme të ajsbergut të skandalit me tenderin e byzylykëve, duke ngritur dyshime të forta për paracaktimin e fituesit.

Në pah dolën lidhjet mes Përgjegjësit të IT-së pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ermal Beqiri, me njërën nga kompanitë fituese, Soft & Solutions. Kjo fundit ka marrë gjithashtu edhe katër tendera nga Hipotekat, duke krijuar dyshime të arsyeshme për konflikt interesi, me pasoja në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, u zbulua se në garë morën pjesë shtatë firma, por pesë prej tyre, nuk paraqitën as ofertë ekonomike. Komisioni i Vlerësimit e lexoi të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga shtatë kompanitë dhe shpalli fituesin në më pak se 48 orë.