Report TV - Tiranë, vritet pranë banesës ish-zyrtari i lartë i policisë Cuku

  • 7 years ago
Artan Cuku, 42-vjeç, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen së shtunës në rrugën e "Kosovarëve", në Tiranë.

Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi është qëlluar nga një distancë e afërt.

Cuku ka qenë pranë banesës së tij, në hyrje të pallatit, kur sapo u nda nga gruaja dhe dy fëmijët u qëllua nga dy persona të armatosur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, në një zonë mjaft të populluar të kryeqytetit, rrugës nga Komuna e Parisit në drejtim të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës.

Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes, ndërkohë që vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Sipas dëshmitarëve, personat që kanë kryer atentatin dyshohet të jenë janë larguar me një motor në drejtim të Saukut. Arma me të cilën është kryer vrasja, është e tipit pistoletë, nga e cila është qëlluar katër herë në drejtim të ish-zyrtarit të policisë.

Policia thotë se po heton disa pista, jo vetëm angazhimin në polici të Cukut, por edhe punët e tij private, pasi së fundi ai ishte angazhuar në një biznes privat "Security", në ruajtjen e sigurisë së objekteve, ?INTERNATIONAL SECURITY ALBANIA?.

Artan Cuku, 42-vjeç, me origjinë nga Lezha, ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Ai ka shërbyer për 16-vite në funksione të larta në Policinë e Shtetit, ndërsa mbante gradën "Drejtues i Lartë".