Report TV - Prokuroria: Prokurorët të shantazhuar për shkak të folësve publikë

  • 7 years ago
Prokuroria e Përgjithshme vlerëson reagimin e shpejtë të Policisë së Shtetit për arrestimin e shtetasit N.Ç., i cili ka kërcënuar në sallën e gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, prokurorin e Prokurorisë Krujë, Bujar Memia.

Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, prokurori ka paraqitur konkluzionet për djalin e shtetasit N.Ç, i akuzuar për veprën penale të ?Prodhimit dhe shitje të lëndëve narkotike?, në bashkëpunim, dhe u kërkua dënimi me 8 vjet burgim. Në përfundim të seancës gjyqësore, shtetasi N.Ç. ka kërcënuar me jetë prokurorin, per shkak se ky i fundit kërkoi dënimin e të birit në bazë të provave.

Pavarësisht se nuk është rasti i parë që një prokuror kërcënohet për shkak të detyrës, Prokuroria e Përgjithshme është vënë në dijeni se sjelljet intimiduese kundër prokurorëve, si zyrtarë të rëndësishëm të shtetit, janë shtuar ndjeshëm.

Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Përgjithshme shpreh angazhimin e plotë për mbështetjen e çdo prokurori të Republikës që ushtron detyrën në përmbushje të plotë të ligjit dhe Kushtetutës.

Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kërkojë me forcë nga të gjithë folësit publikë që të tregojnë maturi kur komentojnë punën e prokurorëve. Për shkak të sulmeve publike, prokurorët tashmë janë kthyer në subjekte të shantazhit dhe kërcënimit nga persona që përballen me ligjin për veprat penale që kanë kryer.