Report TV - Portret Ditëlindja/ Fan Noli, bariu i popullit

  • 7 years ago
E mërtisun por jo e harrueme, fëtyra e Fan Nolit po merr në kohën tonë, mbas sa vjet heshtje' së pameritueme, shkëlqimin e saj të denjë. Ngjet me tê, afërsisht, si me ndonji shtatore, kryevepër arti të lashtë, qi mbet e ndryeme më nji skaj t'errët për vjet a shekuj, e mshehun, gati e panjohun nën pluhnin e kohnavet qi grumbullohet mbi trajtat e saja, tue ja veshë, tue ja mashtrue.

Por arti i madh asht i pavdekshëm. E vjen nji ditë qi nji dorë e dashun dlirë shtatoren nga pluhni e dheu; e nga errsina ku kish humbun e qet në dritë të diellit. Ç'pamje e mallëngjyeshme atëherë! Shkëlqen mermeri ma i bukur, ma krenar. Koha nuk e ka prishë: përkundrazi, e ka hijeshue ma tepër, i ka shtue fisnikí e hír. Pse vetëm gjanat qi i qindrojnë kohës janë fisnike, të denja për adhurim. E lavdija ma e sigurtë asht ajo ma e vonshmja.

Si të gjithë të mëdhejt tanë, edhe Noli i kalon caqet e letrarit të thjeshtë, tue u-shtrí në nji personalitet politik-fetar ma të gjanë. Asht nji përfaqsues i kombit, në kuptimin e plotë të fjalës. Vehtje të tilla nuk mund të çmohen pra vetëm për artin e tyne. Me e ndá jetën prej artit të tyne asht nji punë e padrejtë: rrezikohet kështu me u-falsue gjithë personaliteti i tyne.

Recommended