PD: Shkëlqim Selami i dënuar për trafik në Itali

  • 8 years ago
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me një lajm të publikuar në media ku thuhet se deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Shkëlqim Selami, ka gënjyer në formularin e dorëzuar për dekriminalizimin pasi ka fshehur të dhënat dhe nuk ka deklaruar një dënim në Itali për trafik qeniesh njerëzore. Për selinë blu kjo është një tjetër prove se kryeministri Rama nuk do zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Por nuk janë vetëm mediat dhe opozita që ngrenë akuzën për deputetin e Vlorës Selami, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka dyshime Selami nuk ka bërë deklarim të sakte dhe ka fshehur një dënim.

Televizioni Klan ka mundur të sigurojë një shkresë të Prokurorisë së Përgjithshme, që mban datën 14 dhjetor drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë shkrese thuhet ?se pas bërjes publike të formularit të vetëdeklarimit të deputetit Shkëlqim Selami rezulton se ka mospërputhje informacioni sa i përket të dhënave të paraqitura në formular nga subjekti deklarues.

Çka konfirmohet dhe nga nënkryetari i KQZ-së, Hysen Osmanaji i cili thotë se i gjithë informacionin për deputetin Selami do t?i niset pa vonese organit të akuzës.

Burime të prokurorisë thanë për Tv Klan se dyshohet që deputeti Selami të ketë fshehur një dënim në Itali në fillim të viteve 90, për trafik te qenieve njerëzore.

Në formularin e depozituar në KQZ, deputeti i LSI-së në Qarkun e Vlorës pranon të ketë ndryshuar mbiemrin me vendim gjykate, nga Selamemini në Selami.

Vetë deputeti i hedh poshtë akuzat. Sipas tij, e gjitha kjo çështje ngrihet nga ata që po pengojnë zbatimin e Ligjit të Vettingut.