Report TV - Trafiku drejt Turqisë,kapen 260 kg drogë në Kapshticë, pranga turkut

  • 8 years ago
Policia kufitare në Kapshticë goditi këtë të martë një rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike që niste nga Shqipëria me destinacion Turqinë.

253 pako me lëndë narkotike me një peshë prej 260 kg kanabis sattiva u sekuestruan nga policia ndërsa shoferi turk i kamionit trajler u arrestua në flagrancë.

Lënda narkotike sipas policisë, ishte ambalazhuar me pako prej më tepër se 1 kilogramë secila. Lënda narkotike u kap gjatë kontrollit në skaner nga dogana në vijën e dytë të kufirit.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë kontrollit të mjetit kamion të markës ?Renault? me ngjyrë të kuqe, me targa turke 34 BZ 5293, e drejtuar nga turku Sismek Kulakoglu, është krijuar dyshimi për trafik të lëndëve narkotike.

Menjëherë pas kontrollit me skaner është zbuluar edhe sasia e drogës. Lënda narkotike ishte fshehur në dyshemenë e kamionit në një shtresë të posaçme të dyfishtë të krijuar për të.

Policia ka shpërndarë pamjet që i përkasin pikërisht momentit kur efektivët e policisë prangosin shoferin turk të kamionit, Sismek Kulakoglu, ku tregohet edhe shtresa dyfishe e krijuar në dyshemenë e kamionit.

Ndërkohë Report Tv disponon foton e urdhrit të doganës për kryerjen e skanimit të këtij kamioni, pas ngritjes së dyshimeve se mjeti mund të ishte përfshirë në një situatë trafiku.

Pas ndalimit të shoferit turk, policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet për të identifikuar edhe persona të tjerë të mundshëm të përfshirë këtë linjë të trafikut të drogës.