Report TV - Konfiskim resortit me lekë droge të biznesmenit të vrarë në Vlorë

  • 8 years ago
VLORË - Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi konfiskimin e një resorti në "Ujë të Ftohtë", zona më e frekuentuar në Vlorë nga pushuesit, me dyshimet e forta se është ndërtuar me paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal i Isuf Brahimajt, të vrarë në një atentat me minë të telekomanduar në makinën e tij gushtin e 2014-ës dhe i vëllait të tij Ermalit, i cili vuan ende dënimin në Itali për trafik të lëndëve narkotike.

Resorti turistik, i cili është sekuestruar kohë më parë, është regjistruar në emër të babait të tyre, Shpëtim Brahimajt, por sipas Prokurorisë, ai nuk ka pasur mundësi reale financiare të realizojë të ardhurat marramendëse për blerjen e truallit dhe shpenzimet për ndërtimin e hotelit. Organi i akuzës thotë se vetëm shpenzimet për ndërtimin e resortit me sipërfaqe 3090 m2 arrijnë në 100 milionë lekë të reja. Ndërsa trualli me sipërfaqe 2500 m2 sipas Prokurrorisë, është blerë për 700 mijë euro, edhe pse sipas dokumentacionit të blerjes në emër të Shpëtim Brahimajt, është shënuar 120 mijë euro.

"Pasuritë janë përfituar pas përfshirjes së personave të hetuar Ermal Bajrami alias Bashkim Brahimaj dhe vëllai i tij, i ndjeri Isuf Koka alias Isuf Brahimaj në veprimtari kriminale, veprimtari kriminale që daton që në vitin 1994 për të ndjerin Isuf Brahimaj dhe në vitin 2004 për Ermal Bajramin. Së dyti, këto pasuri nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave të të dyshuarve dhe familjarëve të tyre. Së treti, pasuritë janë në zotërim të drjetpërdrejtë të personave të hetuar të cilët pavarësisht faktit se dokumnetat i kanë regjistruar ne emër të babait të tyre Shpëtim Brahimaj, rezulton se objekti i ndërtuar është fryt i investimeve të djemve të tij Ermal Bajrami alias Bashkim Brahimaj dhe i ndjeri Isuf Koka alias Isuf Brahimaj", argumenton Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Isuf dhe Ermal Brahimaj janë dënuar në Itali për vepra penale në fushën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, si edhe janë hetuar edhe në disa raste të tjera po për këto lloj veprash penale.

Në 2014-ën , Isuf Brahimaj mbeti i vrarë në një atentat në qytetin e Vlorës, e ku një ndër pistat e ngritura nga autoritetet hetimore ishin edhe përplasjet e mundshme për trafikun e lëndëve narkotike.

Recommended