Report TV - Shpërthen bombola, vdes 4 vjeçari, nëna shpëton foshnjen

  • 8 years ago
TIRANE - Një tjetër bombol gazi ka shkaktuar një tragjedi në kryeqytet. Një fëmijë 4-vjeçar u dogj i gjallë në banesë si pasojë e një zjarri të fuqishëm që ra rreth orës 18:00 në shtëpinë ku vogëlushi jetonte me prindërit dhe foshnjën 7 muajshe të familjes Nezha, në një pallat në zonën e Unazës së Re, rruga "Astrit Losha". Në momentin e shpërthimit të flakëve, sipas dëshmitarëve, në banesë ndodhej vetëm e ëma me vajzën 7 muajshe, ndërsa kryefamiljari Amarildo Nezha ishte në dyqanin e tyre përballën pallatit. Po sipas dëshmitarëve, gruaja ishte duke larë foshnjën, ndërsa vogëlushi ndodhej në kuzhinë. Flakët e zjarrit, të cilat sipas policisë dyshohet se kanë ardhur si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, janë përhapur menjëherë në të gjithë banesën ku 4-vjeçari ka vrapuar drejt ballkonit, ndërsa e ëma me foshnjën 7-muajshe në krah ka tentuar të dalë jashtë pa pasur mundësi të marrë djalin. Me të parë flakët i kryefamiljari Nezha është ngjitur për të shpëtuar bashkëshorten dhe fëmijët. Bashkë me fqinjët dhe gruan ai tentoi disa herë të shkonte drejt ballkonit, ku prej dyqanit kishte parë djalin të kërkonte ndihmë, por fatkeqësisht nuk arriti ta shpëtonte dot për shkak të zjarrit të fuqishëm.

Fqinjët e kanë marrë foshnjën në një apartament tjetër, ndërsa rrëfejnë se gruaja dhe Amarildo tentonin pa fund të futeshin mes flakëve, derisa duke parë gjendjen e tyre të rënduar komshinjtë janë detyruar t'i çojnë me forcë dhe me automjet privat për të marrë ndihmën mjekësore në spital.

Lajmi për humbjen e jetës së fëmijët u konfirmua për herë të parë në një komunikim Live në Report TV të shefit të zjarrfikësve Shkëlqim Goxhaj, i cili tha se punonjësit e forcave zjarrfikësve kishin gjetur të pajetë fëmijën në ballkonin e shtëpisë. Shefi i Shërbimit zjarrfikës në Tiranës tha se edhe punonjësit që hynë në apartament me shpresën për të shpëtuar fëmijën 4 vjeç, nuk janë në gjendje të mirë për shkak të asfiksisë nga tymi i madh.