Report TV - Reforma, PD i thotë jo listave të hapura e ndryshimit sistemit zgjedhor

  • 8 years ago
Demokratët do të propozojnë në tryezën e reformës zgjedhore, lista të mbylluar për kandidatët, komisionerë politikë për amdinsitrimin e zgjedhjeve, mos ndryshim të sistemit elektoral. Po ashtu burime nga PD thanë për Report TV se PD do të kërkojë financimin e fushatës nga buxheti i shtetit ndërsa mbështesin heqjen e reklamave politike në fushatë.

Me ngritjen e komisionit të reofrmës zgjedhore ekspertët e partive politike kanë nisur nga puna për detajimin e propozimeve për këtë cështje.

Ndërsa ende nuk është vendosur në tryezën e brendshme të strukturave të PD, burime nga forca më e madhe politike opozitare bëjnë me dije disa qëndrime të PD për këtë reformë.

Për demokratët sistemi zgjedhor nuk ka arsye të ndryshohet pasi në këtë rast duhet ndërhyrë në kushtetutë dhe reforma është për proceset elektorale e jo për ligjin themeltar të shtetit.

Po ashtu demokratët nuk do të mbështesin në tryezën e negociatave listat e hapura të kandidatëve. Sipas PD, kjo formulë është e papërshtashme pasi sjell konflikt brenda partisë.

Ndërkaq mësohet se për adminisrimin e procesit zgjedhor, demokratët nuk heqin dorë nga komisioneret partiakë. Sipas opozitës, qeveria përmes administratës nuk garanton depolitizim të procesit.

Demokratët do të kërkojnë në komisionin e reformës zgjedhore që të parashikohet në kodin e ri që financimi i fushatave të partive politike të bëhet nga buxheti. Në rast se evidentohet financim privat, PD mund të propozioje heqjen e mandatit të kandidatit në garë.

Për sa i përket propozimit për heqjen e reklamave politike në fushatë, demokartët e shohin këtë si një zhvillim pozitiv dhe të mirëpritur.Gjithashtu për demokratët mbeten prioritet edhe rekomandimet e OSBE ODIHR për proceset elektorale.

Në kuadër të diskutimit për reformën zgjedhore, të dielën në mbrëmje në PD mblidhet kryesia e grupit parlamentar dhe ekspertë të kësaj force politike për të përcaktuar axhendën e prioriteteve të punës për këtë reformë.