Nishani ankohet për “drejtësinë” - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
I papërfillur dhe jashtë loje, e konsideron veten Presidenti i Republikës, kur flitet për reformë në sistemin e drejtësisë.Si garant i Kushtetutës, kreu i shtetit Bujar Nishani, ankohet se komisioni i posaçëm parlamentar se nuk ka respektuar institucionet dhe peshën e institucionit që përfaqëson.Përmes një letre drejtuar Komisionit për Reformën në Drejtësi, si dhe për dijeni të kreut të kuvendit Ilir Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare, Nishani mendon se procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence. Presidenti risjell në vëmendje, vendimin e nëntorit të një viti për parë të vetë komisionit, sipas të cilit, për çdo element pune, do të organizohen tryeza pune me Ministrinë e Drejtësisë dhe nën kujdesin e Presidentit.Asnjë nga tryezat e organizuara deri më sot nuk janë organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, duke reflektuar mungesën e plotë e të njëanshme të bashkëpunimit me këtë institucion. Presidenti i Republikës është ftuar në disa aktivitete selektive, me njoftim të momentit të fundit, duke pamundësuar kontributin mbi thelbin dhe përmbajtjen e çështjeve të diskutuara. Institucioni i Presidentit të Republikës ka caktuar një përfaqësues, i cili nuk është ftuar as edhe një herë në takimet Sekretariatit. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është ftuar të ketë përfaqësues në Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Në asnjë rast nuk janë realizuar intervista apo takime me Institucionin e Presidentit lidhur me hartimin e raportit analitik për Reformën në Drejtësi.Për Nishanin, shmangia e qëllimtë e institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe e aktorëve të tjerë me peshë e integritet, dëmton rëndë procesin dhe çdo akt që del prej tij.Në këtë letër Bujar Nishani mendon se përmbajtja e Raporti për analizën në sistemin të drejtësisë, hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, nuk reflekton informacionet dhe analizën e aktorëve të tjerë të përfshirë, duke rezultuar jo rrallë herë në deformimin e realitetit, pasqyrimin e qëndrimit subjektiv të ekspertëve në emër të opinionit publik, deri në ofrimin e modeleve nga vende të cilat nuk mund të përbëjnë pikë referimi për Shqipërinë, vend kandidat për në BE.Situata po bëhet edhe më shqetësuese pas hapave të ndërmarrë rishtaz, të cilat kanë krijuar një kaos të vërtetë, dhe po e kthejnë vendin në aktor qesharak në raport me partnerët.Pavarësisht këtyre qëndrimeve, presidenti Nishani thotë se mbetet i hapur për bashkëpunim.

Recommended