Aksioni për zhurmat e lokaleve - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Për ata që kanë kohë pa bërë një shëtitje në orët e darkës, kjo është një natë e zakonshme në zonën e bllokut. Nis të premten që në orën 21:00 me muzikë të larte, jo vetëm në pub-e, por edhe në bare të zakonshme. Ethet e klientelës të kësaj zone, i shtyjnë pronaret e lokaleve në një garë për zërin më të lartë të muzikës. Dy orë më pas lokalet e bllokut kanë heshtur. Ashtu siç ndodh rëndom me aksionet blic, lajmi për kontrollin mbërriti më shpejt se vetë inspektorët. Megjithatë, Inspektoriati i Mjedisit gjobiti me 50 mijë lekë të rinj dhe pezulloi aktivitetin e 16 lokaleve të kësaj zone. Arsyeja ishte mungesa e lejës mjedisore. Norma e zhurmës që duhet të kenë këto lokale është 55 decibel, ndërsa në realitet shkon deri në 80 decibel. Zhurmat ose siç njihet në gjuhën e specialistëve ndotja akustike rregullohet me një ligj që ka 6 vjet që është miratuar. Megjithatë, lokalet e natës vijojnë t'i thyejnë normat e vendosura nga ky ligj. Edhe në rastin e një nate më parë, inspektorët thjesht morën masat administrative, ndërsa për zbatimin e tyre është ngarkuar policia bashkiake. Deri më sot pothuajse në asnjë rast ky bashkëpunim nuk ka qenë i frytshëm, ndaj banorët e këtyre zonave do vijojnë të flenë nën këto ritme.