Ahtisaari: Serbia të njohë Kosovën - Vizion Plus - News - Lajme

  • 9 years ago
Ish-Presidenti i Finlandës dhe ndërmjetësi i OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari, ndryshe nga diplomatë të tjerë europianë, është më i drejtpërdrejtë: Nuk ka Bashkim Europian për Serbinë, pa njohur pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë për të përditshmen vieneze, "Die Presse", Ahtisaari shprehet se tashmë Serbia e ka kuptuar se nëse dëshiron anëtarësimin në BE, duhet të pranojë ekzistencën e Kosovës si shtet. Gjithashtu, Ahtisaari shtoi se në planin që ai ka hartuar për Kosovën bashkë me diplomatin austriak, Albert Rohan, janë përfshirë mundësitë më të mira për mbrojtjen e pakicave, veçanërisht asaj serbe. "Serbët dalë-ngadalë e kanë kuptuar se nëse dëshirojnë anëtarësimin në BE, duhet të pranojnë se ekziston Kosova e pavarur. Mendoj se ajo që përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton ka arritur në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, është shumë e rëndësishme. Kjo u dërgon palëve mesazh të qartë që të zbatojnë atë që është arritur në marrëveshje." Ndërkaq, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, kryeministri serb Daçiç ka lënë të kuptohet se Beogradi është drejt pranimit të realitetit, të një Kosove të pavarur. Në një intervistë për gazetën britanike "Daily Telegraph", Daçiç ka thënë se Serbisë i nevojitet një politikë e re, që të bëhet anëtare e BE-së.