Dhunoi policin, Prokuroria: 3 vite burg për Vladimir Gjutën

  • 9 years ago
Kundërshtoi efektivët e policisë rrugore më 6 dhjetor të 2014-s për një parkim të gabuar në rrugën Dervish Hima, prokuroria kërkon tre vite burg për Vladimir Gjutën.

Por cili është Vladimir Gjuta? Ai u bë i njohur në harkun kohor të një viti dhe për përplasjet e tij me uniformat blu apo ministrin e brëndshëm Saimir Tahri.

Ndaj Gjutës aktualisht janë hapur tre procese gjyqësorë dy prej tyre në Gjykatën penale të Tiranës dhe një pranë krimeve të rënda ku ai rezulton i pandehur si kreu i një grupi të strukturuar kriminal, grup që sipas prokurorisë vendosi tritol mbi biznesin e prindërve të Saimir Tahirit.

Gjuta do të arrestohej më 6 dhjetor të 2014-ës, por me një vendim të gjykatës ai për fyerjen dhe kundërshtimin e policisë do të përfundonte në arrest shtëpie.

Fill pas tritolit të vendosur më 9 shkurt ndaj familjes Tahiri për të cilin i dyshuar është Vladimir Gjuta ky i fundit do të arratisej nga banesa ku qëndronte me masë sigurie dhe vetëm pas një operacioni të RENEA-s dhe gjurmimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ai do të prangosej më 18 qershor në tunelin e Kalimashit.

Vendimi për 3 vitet e burgut të kërkuara nga Prokuroria nuk u dha këtë të mërkurë dhe u shty për javën e ardhshme, ndërsa 34-vjeçari është në pritje dhe të përballjes me akuzën e largimit nga vendi i dënimit dhe atë të shkatërrimit të pronës me eksploziv si dhe drejtimit të grupit kriminal, akuzë kjo e cila po hetohet paralelisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda.