A1 Report - Valsi i Shtrausit, Eno Peçi per "A1 Report": E mireprita ftesen e TKOB

  • 9 years ago
TIRANE- Edhe pse në Vjenë është ndër balerinët më të preferuar, pjesë e koncertit të filarmonisë që mbahet çdo 1 janar, Eno Peçi nuk ka pasur gjatë dekadës së fundit asnjë ftesë për bashkëpunim nga Teatri i Operës dhe Baletit. Në një rrëfim për "A1 Report", Peçi thotë se me ardhjen në krye të këtij institucioni të Ilir Kërnit, edhe ftesat ndaj tij nuk kanë munguar, dhe rasti më i fundit, është performanca e tij me Valsin e Shtrausit, mbajtur në Hotel "Sheraton" së bashku me balerinën Greta Hushi.

"Vitet e fundit nuk ka pasur dhe shumë ftesa. Tani është pak më ndryshe, nuk e di, por është dhe drejtori i ri Ilir Kërni që po përpiqet t'i mbledhë të gjithë shqiptarët që janë anembanë nëpër botë, të gjithë artistët shqiptarë edhe kjo them që është një gjë e mirë që po vij edhe më shpesh në këtë kohë", u shpreh Eno Peçi.

Ai ka fluturuar disa herë drejt Tiranës kohët e fundit, ndërsa të shtunën, i duhet të jetë në Vjenë për të interpretuar princin në veprën "Bukuroshja e fjetur". Në intervistën për "A1 Report", balerini Eno Peçi tregon edhe momentet e vështira të nisjes së karrierës së tij në Vjenë, dhe pse më pas arriti majat.

"Në Vjenë po është të shtunën, këtë javë të shtunën do kërcej "Bukuroshen e fjetur" në rolin e princit. Kam qenë pak i shokuar sepse Vjena, Austria është një vend i bukur, vend kulturor, vendi i artit, i muzikës edhe kam mësuar shumë në Vjenë dhe karriera ime ka vazhduar pak nga pak. Sfidat kanë qenë të shumta me artistë të ndryshëm sigurisht", tha Eno Peçi.

Balerini Eno Peçi është solist në Koncertin e Filarmonisë të Vjenës, që mbahet në çdo 1 janar, si një kulm i elitarizmit europian. Gjatë mbrëmjes së djeshme, qindra të pranishëm patën mundësi të shijonin performancën e Peçit, i cili në operat botërore është një ndër më të lakmuarit, ndërsa në Shqipëri njihet fare pak, si pasojë e indiferencës së deritanishme nga ana e Teatrit të Operës dhe Baletit.