'Shkupi 2014', janë keqpërdorur 8 milion euro

  • 9 years ago
Për shkak të paligjshmërisë në procesin e prokurimeve publike të projektit 'Shkupi 2014', Komuna Qendër është dëmtuar për 8 milion euro, të dhëna këto të dala nga raporti i dytë i Komisionit për vërtetimin e gjendjes faktike për këtë projekt. Komisioni në fjalë ka konstatuar se procedurat për përpunimin e përmendoreve dhe skulpturave janë zbatuar me shkelje të ligjit për prokurime publike.

"Në komunën Qendër nuk ka pasur kontroll adekuat për atë nëse autorët i kanë punuar dhe i kanë dorëzuar modelet sipas llojit dhe sasisë siç janë marrë vesh dhe siç janë paguar nga ana e Komunës. Kjo ka rezultuar me pagesa të pabaza të sasive të larta financiare ndaj autorëve dhe firmave që i kanë përpunuar dhe derdhur elementet", tha Dragan Malinovski, anëtar i Komisionit.

Konkretisht, në llogaritjen e autores Valentina Stevanovska për përmendoren 'Aleksandri i Madh' në sheshin qendror në Shkup ka pasur formulime të paqarta për atë se çfarë përfshihet në çmimin prej 615 mijë eurove që i janë paguar, njëjtë si për modelet e reliefëve për çka ka fituar 315 mijë euro, apo gati 1 milion euro vetëm për këtë përmendore. Komisioni gjithashtu ka konstatuar se komuna Qendër i ka favorizuar firmat e Fernando Marineli nga Italia edhe pse mesatarisht ato për 2.5 herë kanë qenë më të shtrenjta sesa ofertuesit tjerë. Sipas Zhernovskit, raporti ka treguar se projekti Shkupi 2014 nuk ka qenë projekt për të ndërtuar, por projekt për të vjedhur. Ai paralajmëroi se raporti do të dorëzohet në prokurori.

"Unë njëjtë si edhe herën e parë, materialin do e dorëzoj në prokurori. Nuk e di përse deri tani nuk i dëgjuam të prononcohen për pjesën e parë të raportit, ndoshta kanë pritur t'u dorëzohet komplet materiali. Ja tani kanë rast të mirë. Mendoj se këtu konkluzionet janë aq të qarta sa që nuk ekziston gjyqësi që do mund ta fshehë këtë punë, por nëse ato nuk prononcohen, atëherë fjala e qytetarëve do jetë më e fuqishme pas këtyre të dhënave", u shpreh Andej Zhernovski, kryetarë i komunës Qendër.

Zhernovski tha se tashmë bëhet e qartë përse u zhvillua beteja e tillë për komunën Qendër dhe se qëllimi ka qenë të fshihet, siç vlerësoi ai, afera më e madhe e pushtetit -- projekti Shkupi 2014. Në prezantimin e raportit, kishin qenë të ftuar edhe kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrja e kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, por ato nuk prezantuan. Bojana Simonoviq

Recommended