Spitali i Traumës në Tiranë, aty ku të sëmuret bëhen me "traumë"

  • 9 years ago
TIRANE- Qendra Kombëtare e Traumës, si vetë emri, është një traumë, për ata të cilët shkojnë aty. I njohur me emrin Spitali Ushtarak, urgjenca nuk ka as medikamentet më të zakonshme e më të domosdoshme për pacientët, të cilët shkojnë aty me dëmtime nga më të rëndat. Spitalit, i cili ka në fokusin e tij urgjencat më tmerrshme, me dhjetra çdo ditë, si thyerje, krisje, çarje, plagosje me armë zjarri apo të ftohta e deri tek aksidentet me makinë, i mungojnë fashot, allçia, vaksina kundër tetanozit, madje edhe kartoteri.

Në shumë raste mungon gjaku, edhe pse Spitali i Traumës është vendi ku shkojnë të sëmurët në gjëndjen më të rëndë të mundshme, të thyer e coptuar. Ajo që u ofrohet të sëmurëve, është futja në sallën e operacionit. Grafitë, fashot e deri tek shiringat duhen blerë vetë nga pacientët.

Kamera e televizioni A1 Report vëzhgoi nga afër punën gjatë një dite. Mjekët dhe infermierët përpiqen të bëjnë të pamundurën por... vetëm me bisturi.

Spitali ku ata punojnë nuk furnizohet prej shumë vitesh me disa prej mjeteve më elementare për t'ju shërbyer pacientëve. Në këto kushte, mjekët u kërkojnë të afërmve të pacientëve që t'u drejtohen farmacive.

Ndërsa pak metra më larg, në atë që quhet reparti i gipsit, allçia dhe fashot nuk mungojnë. Kjo, pasi ajo pjesë varet nga QSUT-ja dhe jo nga Qendra e Traumës.
Ndërsa në repartin e allçisë pranë urgjencës së Traumës, specialisti nuk e pranon që ka allçi dhe fasho.

Situata alarmante pranohet dhe vetë nga punonjësit e Qendrës së Traumës, të cilët thonë, se ky nuk është problem i ri, por ekziston prej shumë vitesh.

Në lidhje me këtë situatë, tentuam të kontaktojmë drejtoheshëm e Qendrës së Traumës, Lida Shoshi. Dera e zyrës së saj ishte e mbyllur ndërsa në telefon nuk përgjigjej. Pas një prezantimi me sms, se kush po e telefononte, përgjigjia nga numri 068... dhe që mbaron me shifrat 6 0 ishte:
" Çfarë kërkoni ju lutem se nuk ju njoh e nuk ndodhem në Shqipëri."

Kërkesës për një përgjigje, se përse Qendra e Traumës ndodhet në këtë gjëndje, nuk i erdhi asnjë sms apo thirrje telefonike mbrapsht, megjithëse burime pranë Spitalit të Traumës sqaruan, se Shoshi është parë dje edhe në mesditë, në ambientet e urgjencës.

Sikurë të mos mjaftonin këto, një pagesë e pakuptimtë prej 2500 lekësh ndodhi në hyrjen kryesore të spitalit. Megjithëse ndoshta jo ryshfet, pasi u bë në praninë e të gjithëve e palët flisnin me zë të lartë, një i ri, i cili kishte të afërmin e tij të shtruar, i dha një infermiereje, e cila mbante një dokument në dorë, për arsye të pashpjegueshme.

Alarmi i Qendrës së Traumës u dha të djelën nga ish-Ministri i Shëndetësisë, njëkohësisht zëvendëskryetar i LSI-së, Petrit Vasili. Sipas tij, mbingarkesa dhe mungesa e pajisjeve mjekësore, rrezikojnë përditë jetë njerëzish.

Recommended