Ristovski: Do të gjejmë zgjidhje për emrat e shkollave në Çair

  • 9 years ago
Do të gjendet zgjidhje e pranueshme për emrat e shkollave në Çair. Kështu ka premtuar ministri i ri i arsimit Spiro Ristovski, i cili theksoi se dikasteri të cilin e drejton është në bisedime të vazhdueshme me drejtuesit e Çairit për emrat e 4 shkollave në këtë Komunë. Sipas Ristovskit, dyja palët po mundohen të gjejnë zgjidhje adekuate, duke u kujdesur që gjatë këtij kontesti të mos dëmtohen nxënësit.

"Vazhdojnë bisedimet me komunën e Çairit. Interesi ynë si ministri kompetente dhe e Komunës së Çairit janë nxënësit, dhe nuk do të lejojmë që në asnjë fazë, asnjë prej nxënësve në ato 4 shkolla të ketë problem. Shoh gatishmëri te Komuna e Çairit, që bashkërisht të gjejmë zgjidhje të pranueshme që në fund të kësaj situate të mos kenë asnjë problem nxënësit", tha Spiro Ristovski, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Edhe përkundër kritikave të shumta, Ristovski e cilësoi si të suksesshëm procesin e testimit ekstern dhe projektin "Ditari Elektronik". Megjithatë ai pranon se kishte probleme të shumta në realizimin e të dy projekteve, por që të njëjtat do të mundohet ti eliminojë para fillimit të vitit të ri shkollor.

"Sa i përket e-ditarëve, dua të theksoj se bëhet fjalë për projekt të jashtëzakonshëm. Unë e kuptoj nervozën dhe problemet me të cilat ballafaqohen arsimtarët, por dua ti bind se do të mundohem që të lehtësoj në tërësi qasjen dhe funksionimin e softuerit, sepse është e vërtetë që kishte vështirësi të caktuara në funksionim në këtë periudhë", deklaroi Spiro Ristovski, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Çështja e kombinimit të paraleleve dhe mbylljes së paraleleve shqipe në Aerodrom dhe atyre maqedonase në Çair, sipas ministrit Ristovski, për momentin nuk është temë diskutimi në Ministrinë e Arsimit. Benjamin Arifi

Recommended