Qeveria s'ka dijeni për transmetimin analog të TVM-së!

  • 9 years ago
Për punën e paligjshme të TVM-së, Qeveria ia hedhë topin ministrit Ivo Ivanovski. Shërbimi publik vazhdon të transmetojë paralelisht edhe në platformën analoge, duke thithur sa më shumë shikues, në kurriz të mediave të tjera të cilat transmetojnë tashmë vetëm në platformën digjitale. Qeveria synoi të distancohej dhe të thoshte se për shkelësit do të ketë sanksione, edhe pse për këtë çështje tha se përgjegjës është ministri për shoqëri informatike Ivo Ivanovski. Zëdhënësi i qeverisë Aleksandar Georgiev tha se Qeveria do të marrë së shpejti qëndrim, duke njoftuar edhe vetë ministrin.

"Qeveria nuk ka debatuar për këtë çështje që është objekt interesi për ju, por sipas fuqisë së ligjeve dhe procedurave, për këtë duhet të informohet nga ministria përkatëse ose cilido subjekt tjetër, e cila ka intencë që Qeveria të prononcohet për këtë çështje. Kështu që, nëse marrim ndonjë ankesë të caktuar ose nëse informohemi nga vetë institucionet e kësaj fushe, kuptohet do ta shqyrtojmë në seancë qeveritare dhe do të prononcohemi", tha Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë së RM-së.

Alsat-M edhe dje tentoi të merrte qëndrim nga Ministria për Shoqëri Informatike mbi situatën e padrejtë që shkakton kaos dhe konkurrentë të pandershme në hapësirën mediatike. Nga Ivanovski kërkuam që të përgjigjet, se përse dhe deri kur do të tolerohet shkelja e dispozitave ligjore nga TVM-ja. Përgjigje nuk ka. Në vend të kësaj, shërbimet e tij sot dërguan njoftimin se ministri Ivanov do të jetë i zënë dhe jashtë vendit, me një takim në Bruksel nesër, me Shtefan Fylen. Meqenëse as Ivanovski -- si ministër, dhe as Agjencia për komunikime elektronike -- si institucion kompetent për procesin e digjitalizimit -- nuk reagojnë ndaj shkeljes së tillë, mediat private elektronike mbeten në qëndrimin se pikërisht institucionet përgjegjëse për rregullimin e hapësirës mediatike, janë ato që favorizojnëTVM-në dhe nxisin konkurrencën e pandershme. Ndërkaq TVM-ja, nga ana tjetër, ka filluar të mashtrojë qytetarët me informacione se gjoja është televizion më i shikuar, pa treguar se rritjen e shikueshmërisë e fiton nga padrejtësia e transmetimit edhe në platformë analoge edhe në digjitale. Askush nuk thotë se kur TVM-ja do t'i shkëpusë transmetuesit analog dhe të respektojë konkurrencën. Alsat M do të vazhdojë të kërkojë përgjigje nga kryeministri Gruevski, ministri Ivanovski dhe kreu i Agjencisë për Komunikime Elektronike Ordanovski. Natasha Stojanovska

Recommended