Teksas: Shpërthimi në fabrikë, merë jetën 15 personave

  • 9 years ago
Një shpërthim i fuqishëm rrafshoi për tokë fabrikën e përpunimit të mbeturinave në shtetin federal amerikan të Teksasit. Të paktën 15 persona humbën jetën ndërsa më shumë se 160 të tjerë u plagosën. Të tre mijë banorët e qytezës Uest, ku ndodhej fabrika, janë evakuuar për shkak të avullit helmues që po përhapet në ajër. Druhet se numri i viktimave do të rritet. Nga forca e shpërthimit më shumë se 50 ndërtesa banimi dhe objekte administrative u rrafshuan. Midis tyre, janë një shkollë dhe një azil për të moshuar.

"Sapo ndodhi shpërthimi, fillova të vrapoja. Kudo shikoja vetëm mbetje shtëpish. Nën rrënojat e azilit të të moshuarve, kishte shumë njerëz të bllokuar. Unë ndihmova në nxjerrjen e tyre dhe t'i dërgonim në spital. Ishte vërtetë tronditëse", tha Endi Çavez, dëshmitar.

"Tmerr. Kjo që ndodhi, nuk e kam parë kurrë ndonjëherë më parë në jetën time", tha Andi Malinovski, dëshmitar.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 20.00 sipas kohës lokale dhe u dëgjua në largësinë deri në 70 kilometra. Autoritetet ende nuk kanë detaje në lidhje me rrethanat e tragjedisë.

"Janë dëmtuar më shumë se 60 ndërtesa. Qytetarët e rrezikuar janë evakuuar. Ekipet e shpëtimit ende janë ende duke punuar në pastrimin e terrenit dhe në këtë moment, nuk kemi numër të saktë viktimash", u shpreh Tomi Muska, kryebashkiak i qytetit Uest.

Sipas raportit fillestar, shpërthimit i parapriu që zjarr, të cilin po përpiqeshin ta shuanin disa grupe zjarrfikësish. U dëgjuan disa shpërthime të vogla, e më pas, shpërthimi fatal. Autoritetet në Teksas, për momentin, e përjashtojnë mundësinë e ndonjë sabotimi apo sulmi terrorist. Petar Bllazhevski

Recommended