Grubi i kundërpërgjigjet Dikës: 'Unë vota më tepër se RDK'

  • 9 years ago
Kanë vazhduar edhe sot përplasjet politike mes BDI-së dhe RDK-së. Artan Grubi akuzoi sot RDK-në e Osmanit për nivel të ulët komunikimi të shoqëruar me diskreditime në baza personale dhe familjare.

"Dua të shprehë keqardhjen time të thellë për nivelin e ulët të komunikimit të ulët publik nga ana e partisë së zotit Rufi Osmani, i cili edhe pse është një profesor universitar, në mënyrë të pahijshme merret me ofendime dhe përpjekje të dështuara për diskreditime personale. Vlerat e mia familjare, morale intelektuale dhe politike përveç se janë të betonuara me vlerësimet pozitive mbarëkombëtare reflektojnë dhe konfirmohen edhe me 31 mijë vota në emrin tim kundrejt 28 mijë votave të të gjithë RDK-së bashkë, përfshi edhe Rufi Osmanin dhe të gjithë kandidatët e tjerë për kryetarë komunash nga kjo parti në nivel të RM-së", tha Artan Grubi, BDI.

Gjatë ditës së djeshme përmes një reagimi me shkrim nga RDK, e apostrofuan Artan Grubin si person pa vlera morale dhe intelektuale.

"RDK dhe funksionarët e saj nuk e shohin të nevojshme t'ju japin llogari njerëzve të diskredituar me deklarimet e tyre të sëmura për shpërthime raketash tomahok mes shqiptarëve në kutitë e votimit, e aq më pak Artan Grubit që nuk përfaqëson asnjë vlerë morale apo intelektuale në shoqërinë shqiptare në Maqedoni".

Nga BDI-ja, sot i kujtuan sërish Osmanit, premtimin e dhënë publikisht se nëse nuk do të arrinte mbledhjen e 30 mijë vota, atëherë ai do të tërhiqej nga skena politike dhe do t'i kthehej profesionit të vjetër si profesor. Bedri Rexhallari

Recommended